Pyetje të Shpeshta

Si mund të aplikoj te ju?

Përdorni formularin e aplikimit në faqen tonë duke plotësuar të gjitha fushat e kërkuara dhe duke vendosur CV, letër motivimi e diploma të ndryshme. Mos harroni të permendni se për çfarë pozicioni po aplikoni.

Ju mundeni edhe të dërgoni direkt një email me dosjen tuaj të aplikimit në [email protected].

Cilat dokumente më duhen për të aplikuar?

Juve ju nevojitet një CV, një letër motivimi, çertifikatë për gjuhën gjermane (e preferueshme), diploma, referenca nëse keni. Çdo dokument shtesë është i mirëpritur, sa më i plotë aplikimi, aq më shumë mundësi keni për tu përzgjedhur për fazat në vazhdim

A ka ndonjë kusht të veçantë për punët në Gjermani?

Kushti bazë është gjuha. Nëse ju zotëroni B1 ose B2, ne mund t‘ju gjejmë punë më shpejt.

Gjithashtu juve ju duhet një dosje aplikimi shumë e mirë. Për këtë shikoni edhe blogun tonë, se si të bëni aplikim mbresëlënës. Por ne ju ndihmojmë edhe në këtë hap.

A mund të aplikoj në anglisht?

Sigurisht, ju mund të aplikoni në anglisht ose në shqip si fillim. Pasi faza e parë shërben për të parë më shumë arsimimin, eksperiencën dhe motivimin tuaj.

Por, gjithmonë më e mira dhe e preferueshme është të aplikoni në gjermanisht, pasi gjuha është një ndër kriteret kyçe në shumicën e rasteve në Gjermani.

A duhet të di gjermanisht perfekt për tu punësuar në Gjermani?

Sa më mirë të dish aq më shumë ju rriten mundësitë e punësimit. E rëndësishme është që të fillosh sa më parë me mësimin e gjuhës. Ka vende pune që kërkojnë të pakten A2, por ka edhe nga ato që duan B1 dhe B2, pra me të folur më të rrjedhshme.

Sa kushton shërbimi juaj dhe si paguhet?

Aplikimi dhe gjetja e intervistave janë falas.

Nëse çdo gjë ecën pozitivisht dhe dhe firma gjermane sjell kontratën e nënshkruar, ju paguani 800 Euro (me TVSH).

Pasi të filloni punën në Gjermani, ju do të kryeni gjithashtu edhe një pagesë fikse mujore prej 150 Eurosh gjatë vitit të parë (12 muaj).

Pagesat bëhen në llogarinë bankare të MADAS GmbH në bankën Commerzbank në Gjermani.

Çfarë shërbimesh përfshihen në tarifë?

Shërbimi kryesor është gjetja e një punëdhënësi dhe nënshkrimi i kontratës midis tij dhe jush. Gjatë të gjithë kohës, nga momenti që ju përzgjidheni si kandidat potencial e deri në momentin që nënshkruani kontratën, ne ju keshillojmë dhe ju pergjigjemi të gjitha pyetjeve tuaja.

Ne këshillojmë kryesisht për krijimin e një dosjeje të plotë, profesionale dhe serioze aplikimi; ju sugjerojmë se si të përgatiteni për intervistë me firmat gjermane; dhe ju japim informacione për jetën, akomodimin dhe integrimin në Gjermani.

Gjithashtu tarifa përfshin gjetjen e akomodimit në qytetin që do punoni ose afër.

Tarifa nuk përfshin kostot tuaja personale për përkthime dokumentesh, udhëtime në Gjermani apo kostot e vizës.

Si bëhet pagesa?

Pagesa e parë prej 800€ bëhet pasi ne ju sigurojmë kontratën e punës së firmosur nga punëdhënësi gjerman. Pasi ju të vini në Gjermani për fillimin e punës, 12 muajt e parë ju paguani nga 150€/muaj. Tarifa totale pra shkon në 2600€ dhe shërben për të mbuluar shërbimet që ne ju ofrojmë. Pagesa është ndarë në këtë mënyrë për t’jua lehtësuar fillimin tuaj në Gjermani.

Çdo gjë bëhet me kontrata të zbatueshme lehtësisht si në Shqipëri, ashtu edhe në Gjermani, kështu që të gjitha palët janë të mbrojtura dhe janë të detyruara t’i përmbahen kontratës.

Për info të tjera lexoni procesin e aplikimit këtu.

Kam nënshkruar kontratën por ndërrova mendje për arsye personale, a e ktheni pagesën?

Kur ju nënshkruani kontratën me firmën gjermane, duhet të paguani firmën MADAS GmbH 800 Euro për këtë shërbim, siç është rënë dakort. Nëse ju vendosni të mos filloni punën në Gjermani për një arsye apo për një tjetër edhe pas nënshkrimit të kontratës, kjo nuk bie mbi ne. Ne marrim atë tarifë për shërbimin që kemi rënë dakort: gjetje pune në Gjermani. Shërbimi jonë është që ju të nënshkruani një kontratë pune në Gjermani.

Gjithashtu, ja vlen të theksohet se nuk është e lehtë dhe pa kosto shtesë prishja e kontratës me punëdhënësit gjerman (edhe në varësi të kontratës që ju keni rënë dakort bashkarisht). Kështu që më mirë planifikoni gjërat që në fillim para se të merrni vendime që nuk arrini t’i përfundoni.

Kam nënshkruar kontratën, por viza nuk ka dalë akoma, çfarë të bëj?

Kini durim. Dalja e vizës është në të vërtetë proces që zgjat, për shkak se ka shumë kërkesa.

Për të shmangur vonesat, si fillim sigurohuni të lini takim sa më herët në Ambasadën Gjermane dhe përgatitni mirë të gjitha dokumentet që ju duhen.

Nëse keni dyshime apo paqartësi, telefononi Ambasadën. Ne nuk kemi asnjë fuqi apo bashkëpunim me Ambasadën në këtë aspekt.

Si mund t’ju kontaktoj më shpejt?

Mënyra më e mirë është të na dërgoni email, por ju mund të na kontaktoni me livechat te uebsajti jonë ose me telefon apo Whatsapp gjatë orarit të punës ose në rrjete sociale në çdo kohë.

A mundësoni akomodim?

Ne ju sigurojmë gjetjen e një akomodimi të përshtatshëm në Gjermani të paktën për muajt e parë. Akomodimin e paguani vetë direkt te qeradhënësi.

Pas kësaj periudhe, ju duhet të kërkoni vetë për një akomodim në vazhdim.

Sa kohë zgjat që të gjej akomodim?

Kjo natyrisht varet nga oferta dhe kërkesa e tregut në secilin qytet. Gjermania është 80 milionë banorë, dhe çdo qytet ka karakteristikat e veta dhe treg banesash me qira të ndryshëm nga njëri-tjetri. Në qytetet e mëdha ka më shumë kërkesë se sa ofertë banesash me qera në treg, prandaj banesat e lira ikin shpejt nga tregu dhe mund t’ju duhet deri në 2-3 muaj kohë, që të gjeni banesën e përshtatshme nëse kërkoni intensivisht. Sigurisht, periudha e kërkimit të shtëpisë (nga interneti) përkon edhe me kohën që ju jeni duke pritur daljen e vizës nga Ambasada Gjermane.

Sa kohë mund të zgjasë proçesi nga momenti që aplikoj deri në momentin që nënshkruhet kontrata?

Ne përpiqemi t‘ju gjejmë sa më shpejt një punë të përshtatshme për ju, por kjo varet, ndër të tjera, edhe nga eksperienca dhe niveli juaj i gjermanishtes. Sa më mirë të dini, aq më shpejt mund të lidhet kontrata me firmat gjermane. Të interesuarve në disa profesione mund t’i gjehet punë për dy javë, kurse të interesuarve në profesione të tjera mund të shkojë në 3 apo 6 muaj. Prandaj, një kohë fikse për gjetjen e punës nuk mund të japim apo garantojmë. Ajo që ne ju garantojmë është korrektësia maksimale dhe përpjekja jonë maksimale që ju të nënshkruani një kontratë me firma gjermane.